Te dhena te pergjithshme mbi tregun

Rregullorja:
Të gjitha barnat duhen regjistruar paraprakisht në Shqipëri, për tu tregtuar në përputhje me ligjin. Aplikimet, dosjet e barnave dhe i gjithë procesi i vlerësimit për regjistrim janë nën autoritetin e Agjencise Kombetare te Barnave dhe Pajisjeve Mjekesore (AKBPM).
AKBPM përfaqëson një institucion të specializuar në analiza, kontrollin dhe regjistrimin e barnave dhe e ushtron aktivitetin e saj nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.
Rregjistrimi i një bari aprovohet dhe firmoset në stadin final nga Ministri i Shëndetësisë (autoriteti më i lartë). AKBPM është përgjegjëse për regjistrimin e barnave, licensimin e aktivitetit farmaceutike, inspektimin farmaceutik të cdo niveli: importim, magazinim, shpërndarje, vendosje cmimesh, reklama, etj…

Përcaktimi i cmimeve:
Ministria e Shëndetësisë po ushtron një kontroll të rreptë mbi cmimet e barnave dhe strukturën e përcaktimit të tyre në Shqipëri.
Aktualisht, marzhet e fitimit për importuesit/distributorët dhe farmacitë, të përcaktuara nga Ligji mbi Barnat, janë respektivisht 11% dhe 25%. Të gjitha barnat janë të pajisura më një pullë, e cila tregon cmimin e shitjes (cmimin e pacientit) dhe informon mbi autorizimin e importit dhe lejen e përdorimit, të lëshuar nga AKBPM për atë numër serie të barit.
Ky cmim llogaritet në bazë të marzheve të fitimit të përmendura më lart dhe cmimit CIF të deklaruar për atë bar. Të gjitha kompanitë e huaja, të cilat kanë produkte të regjistruara në Shqipëri duhet të deklarojnë cmimet CIF të këtyre barnave për cdo vit.

Lista e rimbursimit:
Në këtë listë përfshihen aktualisht 506 barna të fushave të ndryshme terapeutike (ose 280 principe aktive). Për këto barna, Fondi i Sigurimit te Detyrueshem të Kujdesit Shëndetësor mbulon një pjesë të kostos totale, e cila varion nga 25% deri 100% (rimbursim i plotë). Rimbursimi i plotë bëhet për barnat të tilla si antikancerozët, vecanërisht ato për përdorim ambulator dhe ato që përdoren për trajtimin e kancereve me incidencë të lartë në popullatë.
Xhiroja e afarizmit të tregut farmaceutik shqiptar vlerësohet të jetë rreth 85 milionë Euro, nga të cilat 25 milionë sigurohen nga Fondi i Sigurimit te Detyrueshem të Kujdesit Shëndetësor dhe 60 milionë të tjerë i përkasin tregut të shitjes me shumice dhe pakice të barnave.
Ndërkohë, blerjet e realizuara nga spitalet rajonale dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor terciar, nëpërmjet tenderave vjetore të organizuar nga Ministria e Shëndetësise, arrijnë një vlerë prej rreth 20 milionë Euro (duke përfshirë barnat, materialet dhe pajisjet mjekesore)

Kuota e rimbursimit është më e lartë për barnat për trajtime kronike dhe për barnat e përdorura kryesisht nga fëmijët apo pensionistët.
Për këto barna, marzhet e fitimit llogariten në 8% dhe 24%.